Britania i pezullon bisedimet tregtare me Izraelin për shkak të ofensivës së re në Gazë

Britania e Madhe i ka pezulluar të martën bisedimet për tregti të lirë me Izraelin, e ka thirrur ambasadorin izraelit në takim protestues dhe ka vendosur sanksione të reja ndaj kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor, për shkak të ofensivës së re ushtarake të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite njoftoi javën e kaluar fillimin e një operacioni të ri dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se Izraeli do të marrë nën kontroll të gjithë Gazën.

Izraeli e ka ndaluar hyrjen e furnizimeve mjekësore, ushqimore dhe të karburantit në Gazë që nga fillimi i marsit, dhe ekspertë ndërkombëtarë kanë paralajmëruar për rrezikun e urisë masive si pasojë

Sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, tha se ofensiva nuk është mënyra për t’i kthyer pengjet e mbetura në Gazë, bëri thirrje për t’i dhënë fund bllokadës ndaj ndihmave dhe dënoi atë që e quajti “ekstremizëm” në disa departamente të Qeverisë izraelite.

“Nuk mund të qëndrojmë duarkryq përballë këtij përkeqësimi të ri. Kjo bie ndesh me parimet që qëndrojnë në themel të marrëdhënieve tonë dypalëshe”, tha Lammy para ligjvënësve.

“Sinqerisht, kjo është fyerje ndaj vlerave të popullit britanik. Prandaj, sot po njoftoj se kemi pezulluar bisedimet me këtë Qeveri izraelite për një marrëveshje të re tregtare”, shtoi ai.

Britania, në një komunikatë të përbashkët me Francën dhe Kanadanë të hënën, dënoi zgjerimin e operacioneve ushtarake të Izraelit në Gazë dhe kërkoi që të hiqen kufizimet ndaj ndihmës humanitare.

Këto tri vende thanë se do të ndërmarrin “veprime të tjera konkrete” nëse ofensiva e re e Izraelit nuk ndalet.

“Dua të deklaroj sot se jemi të tmerruar nga përshkallëzimi nga ana e Izraelit”, tha kryeministri britanik, Keir Starmer, në martën në Parlament.

“Ne përsërisim kërkesën tonë për një armëpushim si mënyra e vetme për t’i liruar pengjet; përsërisim kundërshtimin tonë ndaj vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe përsërisim kërkesën për një rritje masive të ndihmës humanitare në Gazë”, shtoi Starmer.

Britania gjithashtu sanksionoi disa individë dhe grupe në Bregun Perëndimor, për të cilët tha se ishin përfshirë në veprime të dhunshme ndaj palestinezëve.

Në vitin 2024, Britania vendosi sanksione ndaj një numri kolonësh dhe organizatash kolonësh, duke shënjestruar individë dhe grupe që sipas saj kishin sponsorizuar dhunën kundër komuniteteve palestineze në Bregun Perëndimor.

Shumica e vendeve i konsiderojnë të paligjshme vendbanimet hebraike të ndërtuara në tokat e pushtuara nga Izraeli gjatë luftës së Lindjes së Mesme në vitin 1967, dhe zgjerimi i tyre prej dekadash është një nga çështjet më të diskutueshme mes Izraelit, palestinezëve dhe komunitetit ndërkombëtar.

“Ne po tregojmë përsëri se do të vazhdojmë të veprojmë kundër atyre që kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”, tha Lammy.

Lufta tokësore dhe ajrore e Izraelit ka shkatërruar Gazën, duke zhvendosur pothuajse të gjithë popullsinë prej 2.3 milionësh dhe duke vrarë më shumë se 53.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.

Netanyahu ka thënë se vendi i tij është i përfshirë në një “luftë të civilizimit kundër barbarisë” dhe është zotuar se do të “vazhdojë të mbrohet me mjete të drejta deri në fitoren e përgjithshme”./REL

Izraeli sulmon Jemenin për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit SHBA-Houthi/ Irani: Krim lufte!

Izraeli ka sulmuar Jemenin për herë të parë që nga marrëveshja e armëpushimit mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe grupit Houthi.

Irani ka reaguar për sulmin duke e cilësuar ‘krim lufte’. “Sulmi ndaj infrastrukturës ekonomike dhe objekteve publike të Jemenit, përfshirë portet e Hodeidah, Ras Issa dhe Al-Salif, nuk është vetëm një shkelje flagrante e parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, por gjithashtu përbën qartë një krim lufte dhe një krim kundër njerëzimit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit.

Sipas Al Jazeera, IDF kreu sulme ajrore kundër porteve të Hodeidah dhe Al-Salif në Jemen, në përgjigje të lëshimit të raketave nga rebelët Huthi drejt territorit izraelit, disa ditë pas armëpushimit që ky i fundit përfundoi me SHBA-në.

Ushtria izraelite njoftoi se sulmet e së premtes kishin në shënjestër “infrastrukturën terroriste” dhe akuzoi rebelët Huthi se i përdorin dy portet për të “transportuar armë”.

Sulmet e së premtes ishin të parat që nga një marrëveshje armëpushimi midis SHBA-së dhe Houthit në fillim të këtij muaji, me Uashingtonin që u zotua të ndalonte sulmet e tij në Jemen dhe rebelët që ranë dakord të mos sulmonin korridoret e transportit detar në Detin e Kuq./TopChannel