Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

“Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai./RadioEvropaeLirë

Sot zgjidhet kancelari i ri i Gjermanisë

Marrëveshja e koalicionit është nënshkruar, kancelari Scholz u largua me nderime ushtarake. Sot Friedrich Merz pritet të zgjidhet kancelar dhe kabineti i ri gjerman të betohet.

Nga Bundestagu në rezidencën presidenciale Bellevue – e pastaj nga Bellevue në Bundestag: këto janë stacionet në zgjedhjen e kancelarit gjerman sot dhe fillimin nga puna të kabinetit të ri qeveritar pas betimit.

Nëse çdo gjë shkon sipas planit, marrin fund sot gjashtë muaj ngërç politik në Gjermani. Pikërisht gjysmë viti pas prishjes së koalicionit mes socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe liberalëve (koalicioni i njohur si semafor) do të niste punën sot koalicioni i pestë i Unionit konservator dhe socialdemokratëve, (zi-kuq).

Në rast se kreu i CDU-së Friedrich Merz sot merr numrin e nevojshëm të votave në Bundestag do të veprohet kështu:

Në orën 09:00 mblidhet Bundestag për zgjedhjen e kancelarit, hapja e seancës bëhet nga presidentja e tij, Julia Klöckner dhe nuk ka fjalime. Friedrich Merz ka nevojë për miratimin e shumicës së anëtarëve të Bundestagut, 316 vota. Në Bundestag ka 328 deputetë nga CDU/CSU dhe SPD. Pavarësisht se diferenca e numrave nuk është e madhe, zgjedhja në raundin e parë konsiderohet si mjaft e sigurtë. Më pas kancelari i zgjedhur (10:30) merr emërimin nga presidenti Steinmeier.

Merz kthehet më pas në Bundestag, ku në orën 12:00 do duhet të bëhet betimi. Betimi përmban këtë deklaratë: “Betohem se do t’i kushtoj forcën time mirëqenies së popullit gjerman, do të shtoj përfitimet e tij, do të shmang dëmin, do të respektoj dhe mbroj Ligjin Themelor Kushtetues dhe ligjet e Federatës, do t’i përmbush me ndërgjegje detyrat e mia dhe do të veproj me drejtësi ndaj të gjithëve. Me ndihmën e Zotit.” Referenca për Zotin mund të hiqet, siç bëri Olaf Scholz në 2021.

Më vonë bëhet emërimi i ministrave. Merz kthehet sërish në Pallatin Bellevue tek Steinmeier – këtë herë së bashku me kabinetin e tij. Ministrat tani do të marrin certifikatat e tyre të emërimit nga Presidenti Federal. Steinmeier mban një fjalim të shkurtër, ku me gjasë i përmend qeverisë së re detyrat që ka përpara dhe pritshmëritë ndaj saj.

Në 13:30 pastaj sërish kthim në Bundestag: Me këtë bëhet i ditur formimi i qeverisë së re federale dhe ministrat bëjnë betimin. Në orën 15:00 kancelari Scholz zyrtarisht në zyrën e kancelarit ia dorëzon detyrën pasuesit, Merz. Në orët e pasdites dorëzimin e detyrës e bëjnë edhe ministrat.

Vizitat e para

Nëse zhvillimet ecin sipas planifikimit, që të mërkurën, ditën e parë të plotë si kancelar i ri, Merz do të vizitojë fillimisht Francën dhe më pas Poloninë. Ministri i tij i Jashtëm,  Johann Wadephul mendohet ta shoqërojë atë. Të premten, Merz planifikon të udhëtojë në Bruksel për t’u takuar me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte./DW.com