Trump: Kina ka rënë dakord të hapë tregun e saj për produktet amerikane

Kina ka vendosur të hapë tregun e saj për produktet amerikane, pas bisedimeve të zhvilluara në Gjenevë, deklaroi Donald Trump nga Arabia Saudite, duke theksuar megjithatë se mbeten ende disa detaje për t’u finalizuar.

“Ne kemi bërë përparim të rëndësishëm në negociatat me Kinën. Kina ka rënë dakord të hapë tregun e saj për Shtetet e Bashkuara. Thjesht duhet të rregullojmë detajet,” tha Trump në një forum investimesh në Riad.

Kina dhe SHBA njoftuan dje një armëpushim në luftën tregtare mes tyre, pas bisedimeve të zhvilluara të dielën në Gjenevë, gjatë të cilave u ra dakord që të pezullohet zbatimi i shumicës së tarifave ndëshkuese dhe masave të tjera që kanë vendosur ndaj njëra-tjetrës deri të mërkurën.

Sipas marrëveshjes, SHBA do të ulë tarifat shtesë që kishte vendosur këtë vit ndaj Kinës nga 145% në 30%, dhe në përgjigje, Pekini do të ulë tarifat ndaj produkteve amerikane nga 125% në 10%.

Kina gjithashtu është zotuar të pezullojë masa të tjera kundërpërgjigjëse që kishte ndërmarrë ndaj SHBA pas datës 2 prill, megjithëse nuk është ende e qartë se si do të zbatohet kjo./Panorama.com

Kina hap spitalin e parë me IA dhe me 14 doktorë robotë

Kina ka hapur zyrtarisht spitalin e parë në botë të menaxhuar plotësisht nga inteligjenca artificiale. Siç shkruajnë mediat e huaja, spitali përbëhet nga 14 mjekë, të trajnuar nga sisteme të avancuara AI. Ky shënon një moment të rëndësishëm në integrimin e inteligjencës artificiale në sektorë kritikë si kujdesi shëndetësor. I njoftuar më 3 maj 2025, nëpërmjet një postimi në Twitter nga Gordon (@AltcoinGordon), ky zhvillim ka ngjallur interes jo vetëm në industritë e teknologjisë dhe kujdesit shëndetësor, por edhe në tregjet e kriptomonedhave, veçanërisht në mesin e atyre të lidhur me inteligjencën artificiale.

Kjo ngjarje revolucionare, sinjalizon shtytjen agresive të Kinës drejt adoptimit të inteligjencës artificiale, e cila mund të ketë efekte në ekosistemet e blockchain dhe kriptos të lidhura me inovacionet e inteligjencës artificiale. Raportohet se spitali është ndërtuar si një qendër eksperimentale, ku teknologjia jo vetëm zëvendëson njeriun, por e tejkalon atë. Aktualisht, ky spital i veçantë trajton mbi 3,000 pacientë realë në ditë, duke ofruar shërbime të menjëhershme./Koha.mk