9 raste në një javë në Kosovë, çka është fruthi?

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) informon se nga data 05 deri më 13 maj 2025, në Kosovë janë raportuar 9 raste të fruthit: 4 raste nga Ferizaji; 2 raste nga Shtimja dhe nga 1 rast në komunat: Lipjan, Graçanicë dhe Fushë Kosovë.

Por, çka është fruthi?

Çfarë është?
Fruthi ose Morbili, është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga një virus (morbilli virus), i cili përhapet në momentin që një person i infektuar kollitet apo teshtin. Mund të jetë sëmundje serioze, me shumë komplikime, madje mund të shkaktojë dhe vdekje të pacientit. Sëmundja prek traktin respirator (sistemin e frymëmarrjes). Mënyra më e mirë e parandalimit është vaksinimi. Vaksina është e sigurt dhe ndihmon trupin të luftojë virusin.

Shkaqet
Fruthi shkaktohet nga një lloj virusi që përhapet përmes kollitjes, teshtitjes dhe kontaktit të ngushtë apo direkt me sekrecionet e një personi të infektuar.

Kush preket?
Fruthi është ndër sëmundjet më ngjitëse në botë, që do të thotë se kontakti me persona të infektuar do të çojë patjetër në shfaqjen e sëmundjes infektive, aq sa 1 person i infektuar mund të infektojë 10 persona të tjerë të pavaksinuar afër tij. Këtë infeksion ai e transmeton nga 4 ditë para shfaqjes së puçrrave, deri 4 ditë pas shpërthimit të tyre. Virusi shkaktar mund të qëndrojë aktiv dhe kontagjioz (ngjitës) në ajër ose në sipërfaqe të kontaminuara deri në 2 orë.

Komplikimet mund të shfaqen më tepër tek personat e moshës nën 5 vjeç dhe mbi 30 vjeç, veçanërisht ata me sistem imunitar të prekur dhe ata që janë të nënushqyer.

Simptomat
Simptomat e fruthit zakonisht shfaqen 11–14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Simptomat më të zakonshme përfshijnë: temperaturë që zgjat zakonisht 1 javë dhe shkon deri në 40°C, kollë, skuqje e syve dhe shfaqje e puçrrave, fillimisht në fytyrë dhe qafë, dhe që për 3 ditë përhapen në të gjithë trupin, duke arritur tek duart dhe këmbët. Këto shfaqen 2–4 ditë pas simptomave të para dhe mund të jenë të pranishme deri në 5–8 ditë përpara se të largohen.

Vdekja nga fruthi ndodh për shkak të komplikimeve si encefalit (infeksion në tru), infeksion në veshë, diarre ekstreme dhe dehidratim, si dhe probleme me frymëmarrjen si pneumonia. Këto kanë më shumë mundësi të shfaqen tek fëmijët nën 5 vjeç dhe të rriturit mbi 30 vjeç.

Mjekimet
Nuk ka asnjë trajtim specifik për fruthin. Trajtimi ka të bëjë thjesht me lehtësimin e simptomave, si për shembull mjekim për trajtimin e temperaturës. Duhet pirë sa më tepër ujë për të shmangur dehidratimin dhe për të zëvendësuar lëngjet e humbura për shkak të diarresë dhe të vjellave.

Mjekimet përfshijnë qetësues për ethet, temperaturën dhe dhimbjet si ibuprofen dhe paracetamol; suplemente me vitaminë A për shkak të reduktimit të niveleve të saj si pasojë e sëmundjes dhe për të parandaluar komplikacione të mundshme me shikimin./Reporteri

FSK dhe Policia e Kosovës gjejnë personin e zhdukur në Kllokot

Ekipet e FSK-së, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë arritur ta gjejnë të gjallë personin e zhdukur me inicialet Z.K., nga fshati Mogill, pas një operacioni kërkim-shpëtimi në zonën malore të fshatit Kokaj.

Njoftimi:

“Pas ftesës së Qendrës së Situatave të Qeverisë së Republikës së Kosovës për angazhimin e ekipeve të FSK-së për operacionin e kërkim-shpëtimit malor dhe K9 të Gardës Kombëtare të FSK-së, FSK-ja ka marrë të gjitha masat dhe ka angazhuar ekipet në operacionin e kërkimit të personit të zhdukur me inicialet Z.K., nga fshati Mogill, Komuna e Kllokotit, i nacionalitetit serb, dhe ka arritur që, pas disa orësh kërkimi, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, të gjejë personin e gjallë në fshatin Kokaj.

“Pas përfundimit të operacionit, personi i është dorëzuar Policisë së Kosovës për trajtim të mëtutjeshëm”, njofton FSK./Botasot

Shqiptarët në Gjermani: Një komunitet në rritje që po lë gjurmë

Gjermani, 9 Maj 2025 – Komuniteti shqiptar në Gjermani po njeh një rritje të ndjeshme si në numër ashtu edhe në ndikim. Me mijëra shqiptarë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës kanë zgjedhur Gjermaninë për të ndërtuar një jetë më të mirë – dhe suksesi nuk ka munguar.

Sipas të dhënave të fundit, shqiptarët përfaqësojnë një nga grupet më aktive të emigrantëve në fushat si ndërtimi, gastronomia, teknologjia, por edhe shëndetësia. Një numër i madh të rinjsh po ndjekin shkollime profesionale (Ausbildung), ndërsa shumë të tjerë po hapin biznese të tyre.

Sfidat mbeten të shumta, si gjuha, integrimi dhe burokracia, por edhe këtu, solidariteti mes shqiptarëve është treguar thelbësor. Grupet në rrjete sociale, organizatat kulturore dhe qendrat e komunitetit janë kthyer në ura bashkëpunimi dhe ndihme për të rinjtë që sapo mbërrijnë.

🔹 “Shqiptarët në Gjermani janë punëtorë dhe të përkushtuar. Ata po kontribuojnë ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe po përfaqësojnë denjësisht kulturën tonë,” – thotë një përfaqësues i komunitetit në Bavari.

Në të njëjtën kohë, nevoja për informim të saktë dhe mbështetje ligjore mbetet e lartë, ndaj portale si Newsal.de kanë një rol të rëndësishëm për të qenë zëri i këtij komuniteti.

BE përgatitet për hakmarrje tregtare nëse negociatat me SHBA-në dështojnë

Një seri e re produktesh amerikane është vënë në shënjestër të tarifave të mundshme të BE-së, përfshirë kampionin e hapësirës ajrore Boeing, në rast se negociatat me administratën amerikane përfundojnë në bllokim, njoftoi të enjten Komisioni Evropian.

“Ne besojmë se mund të bëhen marrëveshje të mira në dobi të konsumatorëve dhe bizneseve në të dyja anët e Atlantikut”, tha presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen, në një deklaratë, duke shtuar megjithatë: “Në të njëjtën kohë, ne vazhdojmë të përgatitemi për të gjitha mundësitë”.

Që nga mesi i marsit, SHBA-të kanë vendosur tarifa prej 25% për aluminin dhe çelikun e BE-së, 25% për makinat dhe një tarifë të përgjithshme prej 10% për të gjitha importet e BE-së.

Masat e reja hakmarrëse, nëse përdoren nga BE-ja, do t’i shtohen listës së produkteve amerikane të goditura tashmë nga tarifat e BE-së, të cilat u pezulluan pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi një pauzë 90-ditore në luftën e zhvilluar kundër partnerëve të tij tregtarë në të gjithë botën, pasi i kërcënoi ata me të ashtuquajturat tarifa “reciproke” më 2 prill, të cilat do të kishin goditur importet e BE-së me tarifa prej 20%.

Tarifat amerikane tani mbulojnë 70% të eksporteve të BE-së në SHBA dhe mund të rriten në 97% nëse hetimet e mëtejshme të SHBA-së mbi produktet farmaceutike, gjysmëpërçuesit dhe produktet e tjera rezultojnë në më shumë tarifa.

Lista e produkteve amerikane të synuara nga BE-ja do të jetë e hapur për konsultime nga industritë e BE-së deri më 10 qershor, përpara miratimit nga shtetet anëtare të BE-së, si dhe kufizimeve të mundshme për eksportet e caktuara të BE-së të skrapit të çelikut dhe produkteve kimike në SHBA me vlerë 4.4 miliardë euro.

Niveli i tarifave të BE-së që mund të prekin listën e re të produkteve amerikane do të vendoset në një datë të mëvonshme.

Të enjten, Komisioni njoftoi gjithashtu se do të kundërshtojë tarifat e përgjithshme prej 10% dhe tarifat për makinat para OBT-së.

Shërbimet amerikane nuk kërcënohen nga kundërmasat e propozuara të BE-së të enjten, por një zyrtar i BE-së tha se të gjitha “opsionet ishin në tryezë” nëse negociatat me SHBA-në dështojnë.

Zyrtarët e lartë të BE-së ishin në Uashington të martën dhe të mërkurën, të udhëhequr nga Sabine Weyand, shefe e Drejtorisë së Tregtisë në Komision, për t’u takuar me homologët e tyre amerikanë. Diskutimi duket se ka qenë i pafrytshëm, pasi nuk është njoftuar asnjë marrëveshje.

Zyrtari i BE-së tha se BE-ja nuk po paraqiste një paketë “hakmarrjeje”, por po kërkonte një “ribalancim” të marrëdhënieve tregtare me SHBA-në, nëse nuk arrihej ndonjë marrëveshje./ Euronews

5 gjëra që çdo shqiptar duhet të dijë para se të vijë në Gjermani

Jeni duke planifikuar të vini në Gjermani për një jetë më të mirë? Ja çfarë duhet të dini:

Gjuha gjermane është thelbësore – pa njohuri të saj, shumë dyer mbeten të mbyllura.

Dokumentacioni duhet të jetë i rregullt – nga sigurimet deri te vendbanimi.

Qiraja dhe jetesa janë më të larta se sa mendoni – përgatituni financiarisht.

Respektimi i rregullave është pjesë e jetës së përditshme.

Një komunitet i fuqishëm shqiptar ju pret – por kini kujdes edhe nga mashtrimet!

🔗 Lexoni më shumë në newsal.de
📲 Na ndiqni për këshilla dhe lajme të dobishme çdo ditë!

Moti sot në Kosovë

Sot në Kosovë do të mbajë mot i vranët dhe me riga shiu. Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK) parashihen edhe shkarkime rrufesh nëpër disa zona të kufizuara.

Sipas parashikimit temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 18-20 gradë Celsius. 

Parashihet të fryjë erë nga veriperëndimi me shpejtësi 1-5m/s./Koha.net

Nesër seanca e 13-të, “Parlamenti Evropian ia dha sinjalin Kosovës, bëri thirrje për përgjegjësi”

Nesër pritet të mbahet seanca e 13-të, si tentim për konstituimin e Kuvendit. Seancat e mëparshme kanë dështuar për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit, kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiun. Opozita ka kundërshtuar në ҫdo seancë zgjedhjen e Haxhiut si kryeparlamentare.

Nesër mbetet të shihet nëse pozita apo opozita do të dalin me një vendim tjetër që do t’i hapte rrugë krijimit të institucioneve.

Tashmë është bërë e ditur se ky ngërҫ politik ka bllokuar Kosovën në disa procese. Për shkak të situatës aktuale, Kosova nuk arriti të jetë pjesë e agjendës për t’u pranuar apo jo në Këshillin e Evropës. Mirëpo, njohësit e politikës numërojnë edhe humbje të tjera të Kosovës që mund të pësoj në rast se vazhdon me këtë situatë.

Njohësi i ҫështjeve politike, politologu Fahredin Majkovci në një prononcim për ‘Bota sot’, duke vlerësuar situatën aktuale, vlerëson se Kosova aktualisht ndodhet në një situatë të brishtë si me qytetarët ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Kuvendi i Kosovës është institucioni më i lartë përfaqësues dhe vendimmarrës në vend. Funksionimi i tij nuk është vetëm një çështje e brendshme e rendit demokratik, por edhe një ndër kriteret thelbësore për matjen e përparimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Dështimet e përsëritura për të mbajtur seanca efektive e kanë vendosur Kosovën në një pozitë të brishtë, si në raport me qytetarët e saj, ashtu edhe me partnerët ndërkombëtarë”, thotë ai.

Sipas tij, dështimet e Kuvendit për të dalë nga ky ngërҫ politik, do të kenë pasoja në tri drejtime.

“Këto dështime në gjykimi tim prodhojnë pasoja në tri rrafshe: Bllokimi legjislativ dhe ngërçi në reforma. Kjo jo vetëm që ndikon në performancën e institucioneve, por përkeqëson edhe perceptimin e Bashkimit Evropian ndaj përkushtimit të Kosovës për reforma; Humbja e besueshmërisë ndërkombëtare. Partnerët evropianë, përfshirë Komisionin Evropian dhe shtetet anëtare, ndjekin me vëmendje funksionimin demokratik të institucioneve në Kosovë. Bllokimi i Kuvendit si pasojë e përplasjeve politike, bojkoteve apo mungesës së kuorumit interpretohet si mungesë vullneti politik për të avancuar agjendën reformuese dhe dëmton kredibilitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare; Kostot për qytetarët. Në fund të ditës, humbësit më të mëdhenj janë qytetarët e Republikës së Kosovës”, vlerëson Majkovci.

Sipas tij, zgjidhja kërkon angazhim serioz e të koordinuar.

‘Është jetike që çështjet nacionale të mos bien pre e kalkulimeve partiake. Nevojitet aktivizim më i madh i presidentes si ndërmjetëse në rast të bllokimeve institucionale, si dhe rritje e presionit qytetar dhe medial për më shumë transparencë dhe përgjegjësi”, thekson ai.

Politologu Majkovci thotë se, vendimi i Parlamentit Evropian në rezolutën për Kosovën, është sinjal I rëndësishëm dhe një thirrje për përgjegjësi. AI thotë se politika duhet të ndaloj sabotimin e të ardhmes evropiane për interesa partiake.

“Për më tepër, Parlamenti Evropian ka miratuar rezolutën për Kosovën, ku ndër të tjera kërkohet edhe heqja e masave të BE-së ndaj vendit tonë. Ky është një sinjal politik i rëndësishëm, por edhe një thirrje për përgjegjësi. Kosova nuk ka luksin të humbasë më kohë. Çdo muaj pa seanca funksionale është një muaj më larg nga Bashkimi Evropian. Politika duhet të ndalë sabotimin e së ardhmes evropiane për interesa afatshkurtra e partiake”, tha ai./Botasot

Osmani e gatshme për takim me partitë politike për zgjidhje të ngërçit politik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osnani, tashmë ka shprehë gatishmërinë që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina. ka njoftuar se së shpejti do të flasin me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim gjithëpërfshirës.

”Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka deklaruar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina. /21Media

Punëtorët në Kosovë protestojnë për të drejtat e tyre, kërkojnë rritjen e pagave

Me moton “Qeveri – Kompani, është bërë vonë, kthjelluni ose lamtumirë”, Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës ka protestuar në Prishtinë më 1 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kreu i Sindikatës, Jusuf Azemi, ka thënë se punëtorët e sektorit privat të Kosovës janë “trajtuar si skllevër” nga ana e institucioneve, duke shtuar se “trajtim të tillë s’ka thuajse askund në Evropë”.

Pjesëtarët e Sindikatës kanë kërkuar rritjen e pagës në sektorin privat në 600 euro, marrëveshje kolektive, sigurime shëndetësore dhe themelimin e një gjykate të punës.

“Ne nuk po mund të mbijetojmë me pagat që i kemi. Në Kosovë, punëtorët e sektorit privat edhe sot marrin pagë prej 230 eurosh. Kjo pagë nuk po na lë të vdesim, por edhe nuk po mund të jetojmë”, tha Hafije Statovci nga Sindikata.

Paga mesatare bruto në Kosovë, sipas të dhënave të fundit të Administratës Tatimore të Kosovës, është 702 euro.

Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh, me mbi 300 mijë të punësuar.

Më herët, të enjten, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka thënë se Dita e Punëtorve e gjen Kosovën “me probleme të vjetra – vdekje në vendin e punës, ligje të vjetëruara, institucione jofunksionale”.

Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës, sipas IKD-së, kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e duhura në fushën sociale, përfshirë në miratim e zbatim të ligjeve në këtë fushë.

Nëpërmjet një komunikate, IKD-ja ka thënë se Qeveria e Kosovës ka dështuar jo vetëm të miratojë pjesën më të madhe të ligjeve në fushën sociale, por edhe të zbatojë ligjet ekzistuese.

“Ligjet bazike si Ligji i Punës, Ligji për Siguri dhe Shëndet në Punë dhe Ligji për Inspektoratin e Punës, janë hequr nga agjenda ose kanë mbetur të paadresuara, duke reflektuar mungesë të përparimit dhe angazhimit për çështje urgjente sociale”, thuhet në komunikatë.

“Në anën tjetër, Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë një përfaqësues të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale dhe nuk ka ushtruar në mënyrë efektive funksionin mbikëqyrës ndaj Qeverisë. Vetëm gjatë dymbëdhjetë viteve të fundit, sipas statistikave zyrtare dhe të dhënave nga sindikatat, në vendet e tyre të punës kanë humbur jetën 263 punëtorë, 12 vetëm në vitin 2024, ndërsa në pesëmujorin e parë të këtij viti kemi 10 raste të vdekjes në vendin e punës”, ka thënë IKD-ja.

Në sheshet kryesore të Prishtinës sot protestuan edhe Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist dhe grupi protestues kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike “Asnji cent ma shumë”.

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve – 1 Maji – shfrytëzohet në shumë vende të botës si një ditë për të kërkuar të drejtat e punëtorëve, për të transmetuar ankesat e përgjithshme ekonomike ose kërkesat politike.

Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se nga 1.074.704 persona, të cilët janë të moshës së punës – nga 15 deri 65 vjeç – 461 mijë ose 43 për qind janë ekonomikisht aktivë në tregun e punës.

Mbi 613 mijë, ose 57 për qind e qytetarëve të moshës së punës, nuk janë ekonomikisht aktivë.

Shkalla e përgjithshme e papunësisë në Kosovë llogaritet të jetë 10.7 për qind.Koha