LDK-ja ende pa përgjigje zyrtare për ftesën e Kurtit për koalicion

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti përmes një letre të dërguar në drejtim të Lumir Abdixhikut ka kërkuar që të bëjë koalicion me partinë që ai drejton, Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në letrën e Kurtit, për tu takuar e për të folur si “politikanë të pjekur”, ai i thotë Abdixhikut se votuesit e tij do të preferonin një koalicion me VV-në, si dhe ata të VV-së një me LDK-në, shkruan Reporteri.net.

Kurti, i cili ditën e zgjedhjeve i quajti “hajvanat”, e gjatë fushatës nuk i konsideronte si të duhur për koalicion LDK-në, duke qenë se kishin qenë bashkë për 51 ditë në Kurti 1, në letër i kishte thënë Kryetarit të LDK-së se me të s’kishte pasur probleme në bashkëpunimin që kishin pasur, por problemi kishin qenë disa të tjerë që tani s’janë në pozitat e asaj kohe.

Gjithashtu, ai i përmend atij koalicionet e pasluftës.

LDK njihet si parti e cila nuk ka hezituar për koalicione qeverisëse: në 2001-2004 me PDK dhe AAK, në 2004-2007 me AAK, në 2008-2010 me PDK. Në 2014-2017 sërish me PDK, ndërkaq me LVV”, thuhet mes tjerash në letrën e Kurtit.

“Pse mos ta bëjmë?”, e pyet mes tjerash Kurti, Abdixhikun.

Por, për krejt këtë letër, kryetari i VV-së ende s’ka marrë një përgjigje nga Lumir Abdixhiku i LDK-së. Letra u publikuar të hënën, menjëherë pas dështimit të seancës konstituive, dhe i pyetur nga gazetarët, Abdixhiku tha se ende nuk e kishte parë, dhe se duhet trajtuar kjo çështje pa arrogancë.

Në një deklarim të dytë, të shkurtër para gazetarëve, ai theksoi se “qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”, por që paralajmëroi se do ketë një deklarim zyrtar së shpejti.

Se ende s’i janë përgjigjur letrës së Kurtit, e tha të hënën mbrëma edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, për të cilin me këtë letër është krijuar një rrethanë e re politike.

Por, pavarësisht kësaj, ai e cilësoi atë edhe si një goditje, me përmendjen që Kurti ka bërë për koalicionet.

“Duhet me prit që LDK me qenë e gatshme me reagu meqëm si çdoherë. Ne as nuk ngutemi, e as nuk vonohemi. Jemi duke e trajtu me seriozitet. LDK nuk vonohet, sepse kjo është situatë e ndjeshme”, deklaroi mbrëmë Haziri.

/Reporteri.net/

Rënia drastike në indeksin e lirisë së mediave, LDK: Pasojë direkte e tendencave autoritare të VV’së

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas rënies drastike të Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, ku u rendit e 99’ta nga 180 shtete.

Përmes një komunikate për media, LDK ka thënëse se ky regres është pasojë direkte “e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti”, shkruan Reporteri.net.

“Ky regres i theksuar është pasojë direkte e qeverisjes së papërgjegjshme dhe tendencave autoritare të këtij pushteti. Ky pushtet vazhdimisht ka treguar tendenca të qarta për shkatërrimin e mundësisë dhe hapësirës së raportimit të shkeljeve të tij dhe eksponentëve të tij. Raporti i RSF-së thekson ndërhyrjet politike në mediat publike dhe presionet ndaj mediave private, duke përmendur emërimin e personave të afërt me pushtetin në pozita kyçe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) dhe sulmet e vazhdueshme ndaj mediave të pavarura.”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, sipas LDK-së, gazetarët në Kosovë përballen me kërcënime të vazhdueshme dhe sulme fizike, ndërsa institucionet përgjegjëse shpesh dështojnë të ofrojnë mbrojtje adekuate dhe të ndjekin penalisht autorët e këtyre veprave.

“LDK e konsideron lirinë e medias si një nga shtyllat themelore të demokracisë dhe zhvillimit të shoqërisë. Linçimet e medieve nga Vetëvendosje dhe eksponent të saj si dhe praktikat e ndërhyrjes në pavarësinë e medieve duhet të ndalen e ndalohen menjëherë. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin hapa konkretë për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe funksionimin e lirë të medieve”, thuhet në reagim.

Ndryshe, Kosova e ka shënuar rënien më të madhe në 15 vjetët e fundit në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës Reporterët pa Kufij, duke u renditur në vendin e 99-të në botë nga 180 shtete.

Ky është viti i dytë radhazi që Kosova shënon rënie, pasi në vitin 2024 ra nga vendi i 56-të në atë të 75-të.

Në raportin e publikuar nga Reporterët pa Kufij, më 2 maj, në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, Kosova renditet më së keqi në zonën e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian.Reporteri