Gjermania në borxhe rekorde

Qeveria gjermane parashikon të shpenzojë rreth 850 miliardë euro kredi të reja deri në vitin 2029. Ana negative e programit të investimeve është barra në rritje e interesit në buxhet.

Rrugë të vjetëruara, ura që kanë nevojë për rivitalizim, ndërtime shkollash, trena të vonuar, mungesa e internetit të shpejtë – këto janë vetëm disa nga problemet e përditshme në Gjermani.  Por kjo duhet të ndryshojë së shpejti. “Ne duam që ekskavatorët të fillojnë të punojnë shpejt tani,” tha ministri i Financave Lars Klingbeil ndërsa prezantoi planet e tij për buxhetin në Berlin.

Të martën (24 qershor), zyra e qeverisë miratoi projektbuxhetin për vitin 2025, kornizën e buxhetit për vitin 2026 dhe parashikimin e përafërt financiar deri në vitin 2029. Qeveria miratoi edhe një projektligj që do të krijojë një fond të posaçëm për infrastrukturën dhe klimën, të financuar përmes huamarrjes.

Një kthesë në politikën financiare

Investimet në infrastrukturë do të luajnë një rol kyç në të ardhmen. Vetëm këtë vit, buxheti ka caktuar 115 miliardë euro investime. “Vendi ynë është shkatërruar dhe është lënë pas dore shumë. Prapambetja e investimeve është e madhe,” tha Klingbeil, i cili është gjithashtu zv.kancelar dhe kreu i SPD.

Rehabilitimi i infrastrukturës duhet të ndihmojë gjithashtu në nxitjen e një ekonomie që po tregon shenja dobësie. Përveç kësaj, është planifikuar një rritje e konsiderueshme e shpenzimeve për mbrojtjen.

Plani financiar i qeverisë së re shënon një kthesë në politikën fiskale gjermane. Në nëntor 2024, qeveria e mëparshme ra për shkak të një konflikti mbi financimin e buxhetit.

Zgjedhjet e reja u mbajtën në shkurt 2025 dhe tani në pushtet janë kristiandemokratët dhe socialdemokratët. Problemi i arkës së zbrazët të shtetit do të zgjidhet duke marrë hua në një shkallë të paparë. Edhe para se të merrnin pushtetin, partnerët e koalicionit, me pëlqimin e të Gjelbërve, miratuan një paketë të madhe financiare për vitet e ardhshme – 500 miliardë euro për investime në infrastrukturën e lënë pas dore. Praktikisht nuk ka asnjë limit huamarrjeje për armatosjen e Bundeswehrit dhe rritjen e aftësive mbrojtëse të Gjermanisë.

Qindra miliarda investime

Planet e Klingbeil rreth 50 ditë pas marrjes së pushtetit tregojnë se çfarë do të thotë kjo. Shpenzimet buxhetore të këtij viti janë planifikuar të jenë 503 miliardë euro, nga të cilat rreth 143 miliardë do të financohen përmes kredive.

Në vitet e ardhshme, borxhi do të rritet dhe në total duhet të arrijë në 847 miliardë euro. Këto janë vlera rekord të paprecedentë, por zëvendëskancelari i ka mbrojtur me forcë planet e tilla. Gjermania ka një borxh prej 63 për qind të PBB-së së saj, që është dukshëm më i ulët se vendet e tjera, borxhi i të cilave ndonjëherë është më i lartë se 100 për qind.

Kritika ndaj “frenit të borxhit”

Asgjë nuk është më e shtrenjtë se ngecja ekonomike e viteve të fundit, thekson Klingbeil. “Ndryshe prej disa paraardhësve të mi, unë nuk kam ndonjë motivim të veçantë për të ruajtur paratë dhe për të mos i shpenzuar ato, nëse shoh se asgjë nuk po përparon në vend”, kritikon ai këmbënguljen e ministrave të mëparshëm të Financave për ekuilibrin fiskal.

Ky ekuilibër është i futur edhe në Kushtetutë dhe në fakt përcakton që shteti mund të shpenzojë vetëm aq para sa mbledh. Për të përjashtuar programin e investimeve dhe rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga e ashtuquajtura “freni i borxhit”, ishte e nevojshme të ndryshohej Kushtetuta.

10% e buxhetit për interesa

Vendet e NATO-s kanë rënë dakord të investojnë pesë për qind të PBB-së së tyre në mbrojtje në afat të mesëm, nga të cilat 3.5 për qind në shpenzime tradicionale ushtarake. Klingbeil dëshiron ta arrijë këtë synim sa më shpejt të jetë e mundur.

Sipas planit të tij, buxheti i mbrojtjes i Gjermanisë gradualisht do të dyfishohet deri në vitin 2029 – në 152.8 miliardë euro. Kjo do të ishte 3.5 përqind. Klingbeil thotë se Gjermania duhet të jetë “e përgatitur në fushat e parandalimit dhe mbrojtjes”.

Ana negative e huamarrjes është rritja e kostove të interesit. Ministria e Financave vlerëson se barra e interesit në vitin 2029 do të arrijë në pothuajse 62 miliardë euro.

Kjo është dyfishi i parashikimit për vitin 2025. Sipas planit financiar të qeverisë, dhjetë për qind e buxhetit duhet të ndahet për interesin deri në vitin 2029.

Ku mund të bëhen kursime?

Vetëm kostot e interesit janë arsye e mjaftueshme për të marrë në konsideratë masat e kursimit në buxhetin e rregullt në vitet e ardhshme. Konsolidimi është, sipas Klingbeil, një pjesë e fortë e planit të tij. Përveç kësaj, 100 miliardë euro në fonde speciale për Bundeswehrin, të cilat u ndanë në vitin 2022 pas pushtimit rus të Ukrainës, do të shpenzohen deri në vitin 2027.

Pjesa e shpenzimeve të mbrojtjes në buxhetin e rregullt do të rritet ndjeshëm, duke lënë pak hapësirë ​​për shpenzime të tjera. E Majta, e cila është në opozitë në Bundestag, ka qenë kritike e ashpër për këtë. Sipas tyre, qytetarët nuk kanë nevojë për “tanke, por për kopshte funksionale, autobusë dhe një tranzicion të përballueshëm energjetik”.

Më pak para për mbrojtje sociale dhe mbrojtje të klimës?

Kritika po vijnë edhe nga shoqatat sociale. Organizata bamirëse e kishës protestante Diakonie beson se “investimet në infrastrukturën sociale dhe sigurimet shoqërore” janë shumë modeste. Siguria e brendshme dhe e jashtme përfshin gjithashtu “luftën kundër varfërisë, mbështetjen për fëmijët dhe të rinjtë, kujdesin për të moshuarit dhe të sëmurët, përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara, integrimin e refugjatëve, si dhe mbrojtjen e klimës me drejtësi sociale”, thekson organizata humanitare ungjillore.

Të Gjelbrit, të cilët janë në opozitë në Bundestag, janë veçanërisht të shqetësuar që 100 miliardë eurot e destinuara për masat klimatike do të përdoren edhe për të financuar uljen e çmimeve të energjisë. Të Gjelbrit besojnë se mbrojtja e klimës po reduktohet në një artikull margjinal në buxhet.

Projektbuxheti për vitin 2025 shkon në Bundestag, ku së pari diskutohet në komisione dhe në një seancë plenare para pushimeve të verës, e ndoshta do të ndryshohen disa pika. Miratimi prite në shtator. Parlamenti në Gjermani ka autoritetin suprem mbi buxhetin.

Ndërkohë, ministri i Financave Lars Klingbeil po punon në një draft për vitin 2026, të cilin planifikon t’ia paraqesë kabinetit më 30 korrik. Duke filluar nga shtatori, ky buxhet do të jetë gjithashtu objekt debati në Bundestag, dhe do të miratohet deri në fund të nëntorit./DW.com

Kancelari gjerman Merz vë në pikëpyetje strategjinë e Izraelit në Gaza: Nuk e kuptoj më qëllimin e tyre

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka shprehur shqetësime të thella për ofensivën ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës, duke deklaruar se “nuk e kupton më” qëllimin përfundimtar të kësaj ndërhyrjeje dhe duke e cilësuar situatën humanitare si të pajustifikueshme.

Në një deklaratë gjatë WDR Europaforum në Berlin, Merz kritikoi planet e Izraelit për të marrë kontrollin e deri në 75% të territorit të Gazës dhe paralajmëroi se “qeveria izraelite nuk duhet të bëjë asgjë që as miqtë e saj më të ngushtë nuk janë më të gatshëm ta pranojnë”.

“Ajo që ushtria izraelite po bën tani në Rripin e Gazës, sinqerisht nuk e kuptoj më me çfarë qëllimi”, u shpreh ai.

Merz theksoi gjithashtu vuajtjet e popullatës civile palestineze, e cila mbetet thellësisht e varur nga ndihmat ndërkombëtare – ndihma që Izraeli kishte bllokuar për javë të tëra duke pretenduar se përfitonte Hamasi.

“Shkaktimi i vuajtjeve të tilla popullsisë civile nuk mund të justifikohet më me luftën kundër terrorizmit të Hamasit”, shtoi kancelari.

Deklaratat e Merz vijnë në një kohë kur aleatë të tjerë të ngushtë të Izraelit, përfshirë Francën, Mbretërinë e Bashkuar dhe Kanadanë, kanë dënuar gjithashtu veprimet ushtarake izraelite si “të shëmtuara” dhe kanë paralajmëruar për “veprime konkrete” nëse Tel Avivi nuk ndryshon kursin, sidomos në lidhje me ndihmën humanitare.

Në një kundërpërgjigje të ashpër, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi këta liderë perëndimorë se po qëndrojnë “në anën e gabuar të historisë”, duke mbrojtur në mënyrë të tërthortë Hamasin.

“Kur vrasësit masivë dhe rrëmbyesit ju falënderojnë, ju jeni në anën e gabuar të njerëzimit”, tha ai, duke përmendur direkt Emmanuel Macron, Keir Starmer dhe Mark Carney.

Ndërkohë, Izraeli ka nisur një ofensivë të re të quajtur “Qerret e Gideonit”, me ndërhyrje tokësore në veri dhe jug të Gazës të mbështetur nga forcat ajrore.

Qëllimi i deklaruar është të zgjerohet kontrolli operacional mbi Rripin dhe të lirohen pengjet ende të mbetura në duart e Hamasit.

Pavarësisht lehtësimit të pjesshëm të bllokadës javën e kaluar, kur disa dhjetëra kamionë ndihma u lejuan të hyjnë në Gaza, OKB e ka quajtur ndihmën një “pikë në oqean” krahasuar me nevojat urgjente të mbi dy milionë banorëve në krizë./Botasot

Merz dështon të zgjidhet kancelar i Gjermanisë

Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të sigurojë shumicën parlamentare për t’u zgjedhur kancelar të martën, duke shënuar një pengesë të papritur për koalicionin e tij të ri me Socialdemokratët (SPD).

Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi CDU/CSU-në drejt fitores në zgjedhjet federale të shkurtit, mori vetëm 310 vota në Bundestag, gjashtë më pak se shumica e nevojshme prej 316 votash, njoftoi presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.

Pas votimit, Kloeckner ndërpreu seancën parlamentare për t’u dhënë grupeve mundësinë të konsultohen mbi hapat e ardhshëm.

Parlamenti gjerman ka tani 14 ditë kohë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër me shumicë absolute, me një votim të mundshëm që mund të zhvillohet sërish edhe gjatë së martës, raporton Reuters.

Edhe pse konservatorët fituan zgjedhjet me 28.5 për qind të votave, ata kishin nevojë për një partner për të formuar qeveri shumice.

Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me SPD-në, e cila kishte dalë me rezultatin më të dobët në historinë e saj pas Luftës së Dytë Botërore, vetëm 16.4 për qind.

Aleanca CDU/CSU e udhëhequr nga Merzi dhe partneri në koalicion, Partia Socialdemokrate (SPD), janë zotuar se do ta ringjallin ekonominë e dobësuar dhe se do ta rindërtojnë ushtrinë në një kohë kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka vënë në dyshim të ardhmen e sigurisë dhe lidhjeve tregtare transatlantike.

Merz gjithashtu është zotuar se do ta frenojë emigracionin e parregullt dhe se do ta ndalë rritjen e partisë kundër emigracionit, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila doli në vend të dytë në zgjedhjet e parakohshme të shkurtit.

AfD-ja u shpall të premten “grup ekstremist i krahut të djathtë” nga shërbimi i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë – një veprim që ka nxitur një përplasje të re me administratën Trump, dhe kundër të cilit AfD-ja nisi veprime ligjore të hënën.

Merz, i cili ka përvojë të madhe në biznes, por zero përvojë në poste drejtuese qeveritare, në ceremoninë e nënshkrimit të së hënës premtoi “qeverisje të fortë, të besueshme dhe të planifikuar mirë”.

“Ne jetojmë në kohë ndryshimesh të thella, përmbysjesh të thella… dhe pasigurie të madhe, dhe kjo është arsyeja pse ne e dimë se është detyra jonë historike të udhëheqim këtë koalicion drejt suksesit”, tha ai./RadioEvropaeLirë