Ushtria e Indisë ka deklaruar të shtunën se Pakistani është duke rritur praninë e trupave ushtarake përgjatë kufirit mes dy vendeve, ka raportuar The Guardian.
Sipas ushtrisë indiane, forcat pakistaneze janë vërejtur duke dislokuar trupat në vijën e parë të frontit, gjë që tregon “për qëllime ofensive që përshkallëzojnë më tej situatën”.
“Ushtria indiane mbetet në një gjendje të lartë gatishmërie”, thuhet më tutje në njoftim.
Forcat e armatosura indiane kanë ripërsëritur përkushtimin për mospërshkallëzim, me kusht që kjo të respektohet gjithashtu nga ushtria pakistaneze./Koha.net
Zyra e kryeministrit të Pakistanit, Shehbaz Sharif, ka thënë se forcat e armatosura të vendit janë autorizuar të ndërmarrin “veprime përkatëse” pas sulmeve të Indisë, raporton Reuters.
India ka sulmuar Pakistanin dhe Kashmirin pakistanez të mërkurën mbrëma, në luftimet më të këqija për dekada midis dy vendeve që posedojnë armë bërthamore.
Pakistani pretendon se ka rrëzuar pesë avionë indianë gjatë sulmit. Mirëpo zyrtarët e ministrisë së Mbrojtjes indiane nuk e kanë konfirmuar shifrën.
India pretendon se ka goditur nëntë objektiva që i ka përshkruar si “infrastrukturë terroriste”.
Islamabadi ka njoftuar se gjashtë lokacione pakistaneze ishin vënë në shënjestër dhe se asnjë prej tyre nuk isht kamp militantësh. Të paktën 26 civilë janë vrarë dhe 46 janë plagosur, ka thënë një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze.
Policia indiane dhe mjekët kanë thënë se të paktën shtatë civilë janë vrarë dhe 30 të tjerë janë plagosur nga gjuajtjet hakmarrëse dhe granatimet pakistaneze gjatë natës.
Sulmet vijnë disa javë pasi 26 turistë, kryesisht indianë, u vranë nga militantët në Kashmirin e administruar nga India.
Vendet, përfshirë Rusinë dhe Kinën, kanë bërë thirrje për qetësi dhe shtensionimin midis dy kombeve. Një ministër i Mbretërisë së Bashkuar ka thënë se qeveria e tij është e gatshme të ndihmojë të dyja palët për shtensionim.
Kontrolli i Kashmirit, në ultësirat e Himalajeve, është diskutuar që kur India dhe Pakistani fituan pavarësinë nga Britania në vitin 1947. India dhe Pakistani kanë hyrë dy herë në luftë për territorin, së fundmi në vitin 1999./AlsatM