Shpëtuan për pak sekonda: Momente paniku, aeroplanët kinezë gati sa nuk u përplasën në hapësirën ajrore të Rusisë

Dy aeroplanë kinezë thuhet se kanë qenë vetëm sekonda larg një përplasjeje në hapësirën ajrore të Rusisë.

Kjo pasi që një aeroplan pasagjerësh i kompanisë Air China ndryshoi lartësinë pa leje, duke sjellë një përqasje të rrezikshme me një aeroplan mallrash, shkruajnë mediat e huaja.

Fluturimi CA967 i Air China, që udhëtonte nga Shanghai për në Milano, papritur u ngjit nga 10,394 metra në 10,973 metra pa udhëzim nga kontrolli ajror rus më 6 korrik, raportoi South China Morning Post.

Ky manovrim e solli atë në një distancë prej rreth 90–120 metrash nga Fluturimi CSS128 i SF Airlines, një aeroplan Boeing 767 mallrash që po fluturonte nga Budapesti drejt Ezhou, në Kinën qendrore.

Protokollet ndërkombëtare të sigurisë në aviacion kërkojnë një distancë vertikale minimale prej 1,000 këmbësh (rreth 305 metra) ndërmjet aeroplanëve në lartësi udhëtimi.

Ngjarja e rrezikshme thuhet se ndodhi mbi Tuva, një rajon malor i largët në Siberinë jugore, pranë kufirit me Mongolinë, dhe u kap nga të dhënat e ndjekjes në kohë reale të Flightradar24.

Ngjitja e paautorizuar aktivizoi alarmet e sistemit për shmangie përplasjesh (TCAS) në të dy aeroplanët, duke detyruar pilotët të kryejnë manovra emergjente.

Regjistrime audio që qarkullojnë në rrjetet sociale kineze tregojnë se kontrollori rus mund të ketë qenë duke menaxhuar katër aeroplanë njëkohësisht dhe mund të ketë dhënë udhëzime të paqarta.

Burimi i këtyre regjistrimeve mbetet i panjohur dhe autenticiteti i tyre nuk është verifikuar.

Air China, SF Airlines dhe autoriteti civil i aviacionit në Kinë nuk kanë dhënë ende komente publike.

Ende nuk është e qartë pse ekuipazhi i Air China ndryshoi lartësinë, por një nga pistat që po hetohet është një keqkuptim i një komande të dhënë për një aeroplan tjetër.

Pas kalimit në një frekuencë private, dy pilotët kinezë folën në gjuhën mandarin.

Kapiteni i SF Airlines shprehu shqetësim për ngjitjen, duke e quajtur atë “shumë të papërshtatshme”, dhe pyeti nëse ishte marrë leje.

Piloti i Air China ia atriboi konfuzionin kontrollorit rus, i cili, sipas tij, kishte bërë “shumë zhurmë” dhe kishte lënë ekuipazhin “të hutuar”. Ai pranoi se do të duhej të dorëzonin një raport zyrtar./Botasot

Trumpi kërcënon Rusinë me tarifa nëse s’arrin marrëveshje me Ukrainën për ndaljen e luftës

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se do ta ndëshkojë Rusinë me tarifa, nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë brenda 50 ditëve.

Trump e bëri këtë njoftim gjatë takimit në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Sipas tij, tarifat do të jenë dytësore, që nënkupton se synohen Moska dhe partnerët tregtarë të saj, në përpjekje për ta izoluar atë nga ekonomia globale.

“Jemi shumë të palumtur me Rusinë, dhe do të vendosim tarifa shumë të rënda, nëse nuk kemi marrëveshje për 50 ditë, dhe ne i quajmë këto tarifa dytësore, ju e dini shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”, është shprehur Trump.

Po ashtu, shefi i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar se ka rënë dakord për të dërguar armë në Ukrainë, teksa është krenuar me faktin se, sipas tij, SHBA-ja i prodhon pajisjet ushtarake më të mira në botë.

Këto pajisje do të blihen nga vendet anëtare të NATO-s dhe më pas ato do t’ia dërgojnë si ndihmë ushtarake Ukrainës.

E Rutte e ka përshkruar marrëveshjen e dakorduar me SHBA-në për dërgesat e armatimit si diçka të madhe. Krahas kësaj, e ka kualifikuar si të logjikshëm vendimin që vendet evropiane të paguajnë për këto pajisje.

“Kjo është me të vërtetë e madhe, ju më telefonuat të enjten dhe më treguat se keni marrë vendim, dhe vendimi është që ju dëshironi që Ukraina të jetë e aftë ta mbrojë veten nga Rusia, porse doni që evropianët të paguajnë, që ishte diçka totalisht e logjikshme”, ka deklaruar Rutte.

Po të hënën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është takuar në Kiev me të dërguarin e posaçëm amerikan, Keith Kellogg, ku është diskutuar për mbrojtjen ajrore, prodhimin e përbashkët të armëve, si dhe për sanksionet ndaj Rusisë./Koha.net

Rusia e pranon se përdor ushtarë koreanoveriorë në luftë kundër Ukrainës

Rusia e ka pranuar për herë të parë se ka dërguar ushtarë të Koresë së Veriut në betejën për t’i zmbrapsur forcat ukrainase nga rajoni i Kurskut, pasi ushtria ukrainase kreu një inkursion të papritur matanë kufirit me Rusinë verën e kaluar.

Ministria e Jashtme e Rusisë tha të shtunën se e njeh “kontributin e rëndësishëm” të ushtarëve koreanoveriorë në përpjekjet ushtarake të Moskës.

Duke cituar Traktatin për Partneritetin Strategjik midis Rusisë dhe Koresë së Veriut nga 4 dhjetori i vitit 2024, Ministria tha se “një faqe e re është shkruar në analet e lavdishme të vëllazërisë ushtarake të popujve rus dhe korean”.

“Ushtarët e Ushtrisë Popullore të Koresë… luftuan krah për krah, në të njëjtën llogore, dhe derdhën gjak me ushtarët dhe oficerët tanë në rajonin e Kurskut dhe dhanë një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e tokës ruse nga armiku pushtues”, tha ajo.

Gjenerali Valery Gerasimov, kreu i Shtabit të Përgjithshëm të Rusisë, i tha presidentit Vladimir Putin në një video-konferencë se ushtarët koreanoveriorë kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në “çlirimin” e rajonit nga ushtarët ukrainas.

Me këtë Rusia e pranoi atë që zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë thënë prej kohësh: se Pheniani dërgoi mijëra ushtarë për të luftuar përkrah forcat ruse në pushtimin e plotë të Ukrainës nga Moska, i cili tani është në vitin e tij të katërt.

Zyrtarët amerikanë thanë se më shumë se 11.000 ushtarë koreanoveriorë morën pjesë në luftë dhe pësuan humbje të mëdha.

Gerasimov tha se misioni korean ishte në përputhje me marrëveshjen e partneritetit midis dy vendeve.

Rusia thotë se i ka zmbrapsur forcat ukrainase nga shumica e Kurskut, megjithatë Kievi thotë se forcat e tij po qëndrojnë ende në rajonin rus.

Ka pasur shqetësime ndërkombëtare se Rusia po i ofron Koresë së Veriut teknologji për dronë në këmbim të ndihmës të konsiderueshme ushtarake.

Gjithashtu ka pasur një forcim të madh të marrëdhënieve midis Moskës dhe Phenianit që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Përveç dërgimit të ushtarëve, Koreja e Veriut e ka furnizuar Moskën gjithashtu edhe raketa me rreze të shkurtër, artileri të automjeteve dhe raketahedhës, sipas ushtrisë së Koresë së Jugut./REL