Shkupi me mesazh special për Hagën

Shkupi është kryeqendra e tretë në rajon, në të cilën shqiptarët shprehën pakënaqësi me procesin gjyqësor është duke u zhvilluar në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së. Në një protestë, në të cilën morën pjesë mijëra vetë, u kërkua drejtësi në këtë proces gjyqësor

Mijëra qytetarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria u mblodhën në sheshin “Skënderbeu” në Shkup, për të kërkuar drejtësi për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët në Hagë janë duke u gjykuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në protestën e organizuar të shtunën, ata shprehën pakënaqësi me procesin e deritanishëm gjyqësor.

Nga Shkupi, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucati, i çoi mesazh kryetares së Gjykatës Speciale.

“Ne sot, në këtë numër kaq të madh, i tregojmë (Ekaterina v.j.) Trendafilovës që UÇK-ja buron, lind dhe vepron nga populli. Populli sot është mbrapa tyre. Ne sot kërkojmë drejtësi, jo politikë. Ajo gjykatë është më shumë politike dhe i ngjan gjykatave të ish-Jugosllavisë. Kjo gjykatë merret me fakte të falsifikuara, të cilat fare nuk qëndrojnë. Isha vet dëshmitar”, ka thënë Gucati.

E Ali Ahmeti, i cili është një nga themeluesit e UÇK-së dhe kryetar i partisë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoni të Veriut, tha se procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve duhet të përfundojë me shpalljen të pafajshëm.

“UÇK-ja, dënonte çdo veprim fashist, çdo veprim kundër popullatës civile. Ushtria e shpallte veten ushtri e popullit vullnetar, që lufton për lirinë e popullit të vet. Objektivin final nuk e arritën për ta ndërtuar, andaj nuk do të duheshin që akuzat të bëhen për “shtëpinë e verdhë”, akuza që bëhet për ndërmarrje të përbashkët kriminale, të njollosin historinë e UÇK-së”, ka thënë Ahmeti.

Në këtë linjë foli edhe Daut Haradinaj, i cili është në mesin e tre pjesëtarëve të UÇK-së që për herë të parë dolën publikisht, e tani aktiv në politikë.

“Ne besojmë në pafajësinë e tyre, se e njohim çka ka ndodhur në Kosovë. Dihet kush ka qenë agresor. Duke i njohur rrethanat nuk ka asnjë alternativë tjetër veçse të pafajësisë së tyre. Është një thirrje publike që sa më shpejt të kthehen në Kosovë, janë të pafajshëm”, ka thënë Haradinaj.

Edhe qytetarë që morën pjesë në protestë kërkuar që Specialja t’i shpallë të pafajshëm.

“Më vjen keq që sot kërkoj liri për çlirimtarët. Ata të cilët na sollën lirinë, padrejtësisht i mbajnë në Hagë. Me këmbëngulje kërkoj që ata të lirohen sa më shpejtë”, ka thënë Vedat Akshmedi, i cili mori pjesë në protestë.

“Procesi në Hagë që po zhvillohet, është me iniciativë të Serbisë. Këta heronjtë që kanë çliruar vendin, tash gjykohen në Hagë. Besoj një milion për qind se do të lirohen”, ka thënë një qytetar tjetër.

Protesta u mbajt për herë të pestë brenda këtij viti, me kërkesë për drejtësi për Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ata ndodhen në paraburgim që nga viti 2020, ndërkaq për në pjesën e parë të 2026-s është planifikuar të shpallet vendimi nga Specialja.

Para Shkupit, protesta masive u organizuan në Prishtinë, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.Klan.net

Arrestohet një 57-vjeçar në Shkup, dyshohet se i vuri zjarr barit në Gjorçe Petrov

Mbrëmjen e sotme (07.07.2025), zyrtarë policorë nga SPB Shkup arrestuan D. N. (57) nga Shkupi, në territorin e Gjorçe Petrovit, nën dyshimin se rreth orës 21:40 ka shkaktuar zjarr duke ndezur bar të thatë në një lulishte në rrugën “Stevo Crvenkovski” në Gjorçe Petrov.

D. N. është vërejtur nga një qytetar i cili e raportoi rastin në SPB Shkup. Policia ndërhyri menjëherë dhe arrestoi autorin e dyshuar. Pas dokumentimit të rastit, ndaj D. N. do të ngrihet kallëzim përkatës./tetovasot

Zjarr në Bllacë të Maqedonisë së Veriut

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut njoftoi se trafiku nga Shkupi për në pikën kufitare në Bllacë dhe anasjelltas është duke u riorentuar nëpër zonat për rreth, ndërsa për automjetet e rënda ka ndalesë të qarkullimit për shkak të zjarrit të shkaktuar në afërsi të vendkalimit kufitar.

“Për shkak të zjarrit që ka shpërthyer mbi rrugën magjistrale A4 Shkup – Bllacë, pranë tunelit, i cili është përhapur mbi rrugën magjistrale, trafiku është riorientuar për automjetet e pasagjerëve, ndërsa është i ndërprerë për automjetet e rënda transportuese. MPB ka vendosur regjim të veçantë të qarkullimit të automjeteve nga pika kufitare Bllacë drejt Shkupit.

Trafiku për automjetet e pasagjerëve është riorientuar drejt fshatit Bllacë e Epërme, përgjatë rrugës së vjetër drejt fshatit Banjan, Gluvo dhe Shkup.

Për shuarjen e zjarrit janë angazhuar Qendra për Menaxhim të Krizave të Maqedonisë së Veriut dhe ekipet e Njësisë së Mbrojtjes nga Zjarri të Qytetit të Shkupit./Arbresh.info

Katër nxënës të shkollës së mesme sulmojnë fizikisht Profesoreshën në Shkup

MPB njofton se me datë 19.05.2025, në orën 09:05, në SPB Shkup, D.J. (53) nga Shkupi ka raportuar se më 08.05.2025, rreth orës 18:10, në korridorin e një shkolle të mesme në rajonin e Çairit, ku është e punësuar, është sulmuar fizikisht nga katër të mitur – nxënës të shkollës. Po merren masa për zbardhjen e rastit./Zhurnal

Detaje për vrasjen në Shtip: Vrasësi e thirri viktimën për t’u pajtuar, armën e bleu në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka nisur procedurë hetimore kundër pesë personave për vrasjen që ndodhi më 8 maj në një lokal në Shtip. I dyshuari kryesor, 21-vjeçar, akuzohet për “Vrasje me paramendim dhe nga hakmarrje” dhe “Tregti e paautorizuar me armë”. Katër të tjerët – tre burra dhe një grua të moshës 22 deri 28 vjeç – akuzohen për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Sipas hetimeve, autori kishte blerë një pistoletë 9 mm në Shkup për 1.100 euro nga një person i panjohur. Ai ishte takuar me viktimën, gjithashtu shtetas turk, përmes aplikacioneve mobile, me pretekstin për të zgjidhur një konflikt të vjetër. Pas një bisede 15-minutëshe në kafene, ai shkoi në tualet, u kthye dhe qëlloi disa herë ndaj viktimës, i cili ndërroi jetë nga plagët.

Pas vrasjes, katër bashkëpunëtorët ndihmuan autorin të arratisej drejt Shkupit me një BMW, por u kapën nga policia pranë pikës së pagesës në Milladinovci. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit./Tetovasot