E ngjashme me ChatGPT, Shqipëria do të financojë me 10 milionë dollarë projektin e Mira Muratit

“Ka ardhur koha që të hyjmë nëpër kompani, që shteti të futet të financojë dhe të përfitojë. Siç fola me Mira Muratin, i thashë që a është e mundur që të futemi edhe ne. Më tha patjetër”, deklaroi më 15 prill kryeministri shqiptar Edi Rama.

Shqipëria do të bashkë-financojë me 10 milionë dollarë platformën e re në drejtim të Inteligjencës Artificiale që ish-shefja e teknologjisë e “Open AI”, Mira Murati po ndërton, të quajtur “Thinking Machines Lab”. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka depozituar kërkesën për fonde pranë Ministrisë së Financave.

“Ky startup është një nga projektet më inovative në nivel global në fushën e inteligjencës artificiale, me potencial të madh për avancim teknologjik dhe të ardhura ekonomike për vendin. Ai ofron përfitime strategjike për Shqipërinë në tërësi, ku përveç ndikimit ekonomik të drejtpërdrejtë, ky partneritet do të rrisë pozicionin e Shqipërisë në komunitetin global teknologjik, duke treguar angazhimin e vendit për të mbështetur teknologjitë inovative dhe kërkimin e avancuar”, tha Ministria e Financave, teksa i drejtohej KQZ-së.

Me zgjedhjet e 11 majit në prag, “financat” kanë kërkuar mendim nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëse ndryshimi i buxhetit në këto momente bie ndesh me kodin zgjedhor.

“Rishikimi i buxhetit 2024, i propozuar përmes një akti normativ, parashikon një shtesë prej 1 miliard lekësh si në të ardhura ashtu edhe në shpenzime. Ky ndryshim nuk ndikon në nivelin e deficitit buxhetor, i cili mbetet i pandryshuar, si në vlerë nominale ashtu edhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, krahasuar me buxhetin fillestar të miratuar për vitin 2025.”

Për të bindur KQZ-së, Ministria e Financave argumenton se financimi i Shqipërisë në “Thinking Machines Lab” do të ishte me leverdi për ekonominë e venit. Thinking Machines Lab ka deklaruar se synon të ndërtojë sisteme të AI që janë më të kuptueshme, të personalizueshme dhe më të afta se ato ekzistuese të CHATGPT.

“Vlen të theksohet se të gjitha aspektet teknike që lidhen me investimin në fjalë – përfshirë leverdishmërinë financiare që pritet të sjellë dhe përllogaritjen e fondit të nevojshëm – janë vlerësuar dhe konfirmuar nga Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit në përputhje me përgjegjësitë e saj funksionale si autoriteti përgjegjës për politikat në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.”

Startupi i ri i AI i themeluar shqiptarja Mira Murati, po synon të mbyllë një nga raundet fillestare më të mëdha ndonjëherë, me një objektiv prej 2 miliardë dollarësh. Sipas Business Insider, nëse arrihet kjo shifër, vlera e kompanisë do të kapë të paktën 10 miliardë dollarë – pavarësisht se startupi ende nuk ka një produkt apo të ardhura konkrete./living.al/

Shqipëria drejt hapjes së tre aeroporteve të reja deri në vitin 2027

Burime të besueshme pranë sektorit të transportit ajror në Shqipëri bëjnë me dije për Newsal.de se janë në zhvillim bisedime me investitorë të huaj dhe partnerë lokalë për ndërtimin e tre aeroporteve të reja deri në vitin 2027.

Sipas të njëjtave burime, projektet më të avancuara janë:

  • ✈️ Aeroporti i Vlorës – Në ndërtim të plotë, pritet të jetë gati në vitin 2025 dhe synon të jetë një nyje kryesore për turizmin jugor.
  • 🏖️ Aeroporti i Sarandës – Diskutimet janë në fazë të avancuar dhe ndërtimi mund të nisë brenda vitit të ardhshëm.
  • 🏔️ Një aeroport në Veri të Shqipërisë – Po shqyrtohen Shkodra dhe Kukësi si mundësi strategjike për të përmirësuar lidhjet me Europën Qendrore.

Megjithëse nuk ka ende një deklaratë zyrtare nga autoritetet shtetërore, indiciet dhe veprimet në terren sugjerojnë se qeveria është duke punuar seriozisht në këtë drejtim, në bashkëpunim me kompani ndërkombëtare.

Çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë?
Ekspertët e turizmit e shohin këtë zhvillim si një hap kyç për të trefishuar vizitorët në vend deri në vitin 2030 dhe për të rritur ndjeshëm punësimin në jug dhe veri të vendit.

Newsal.de do të vijojë të ndjekë nga afër këto zhvillime dhe do të informojë komunitetin shqiptar me lajmet më të sakta dhe të konfirmuara.