Detaje për vrasjen në Shtip: Vrasësi e thirri viktimën për t’u pajtuar, armën e bleu në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka nisur procedurë hetimore kundër pesë personave për vrasjen që ndodhi më 8 maj në një lokal në Shtip. I dyshuari kryesor, 21-vjeçar, akuzohet për “Vrasje me paramendim dhe nga hakmarrje” dhe “Tregti e paautorizuar me armë”. Katër të tjerët – tre burra dhe një grua të moshës 22 deri 28 vjeç – akuzohen për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Sipas hetimeve, autori kishte blerë një pistoletë 9 mm në Shkup për 1.100 euro nga një person i panjohur. Ai ishte takuar me viktimën, gjithashtu shtetas turk, përmes aplikacioneve mobile, me pretekstin për të zgjidhur një konflikt të vjetër. Pas një bisede 15-minutëshe në kafene, ai shkoi në tualet, u kthye dhe qëlloi disa herë ndaj viktimës, i cili ndërroi jetë nga plagët.

Pas vrasjes, katër bashkëpunëtorët ndihmuan autorin të arratisej drejt Shkupit me një BMW, por u kapën nga policia pranë pikës së pagesës në Milladinovci. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit./Tetovasot

“21-vjeçari dyshohet se vrau 25-vjeçarin”, 5 shtetas të Turqisë janë arrestuar pas ngjarjes në Shtip

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se rreth orës 21:25 kanë marrë raportimin për gjuajtje me armë në një kafene në sheshin e qytetit të Shtipit, përcjell TV21. Sipas MPB-së, është shtënë në drejtim të shtetasit turk E.O., 25 vjeç nga Turqia, i cili ka ndërruar jetë rreth orës 22:10 në spitalin e Shtipit.

“Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve, përfshirë përdorimin e dronit, në afërsi të pikës së pagesës “Milladinovci”, zyrtarët policorë kanë arrestuar K.K. (21) nga Republika e Turqisë, i cili dyshohet se është autor i krimit, si dhe A.H.(22), T.M. (22), O.M. (29) dhe A.O. (28), të gjithë nga Republika e Turqisë, me dyshimin se i kanë ndihmuar K.K. për të ikur nga vendi. Përkatësisht, në orën 22:15, në pikën e pagesës “Miladinovci”, në aksion të përbashkët të SPB-Shtip, SPB-Shkup dhe policisë së trafiku, është ndalur vetura e udhëtarëve “BMW” me targa të Shtipit, në të cilën ndodheshin A.H., T.M., O.M. dhe A.O., ndërsa A.H. tentoi arratisjen, ndërsa të tjerët janë privuar nga liria. Menjëherë pasi janë marrë masa, ai dhe autori K.K. janë gjetur dhe privuar nga liria”, thonë nga MPB./tv21.tv