​Mbi 100 persona humbën jetën nga temperaturat e larta në Spanjë

Të paktën 102 persona kanë vdekur gjatë valës së parë ekstreme të të nxehtit në Spanjë për këtë vit, e cila filloi të shtunën.

Kështu sipas sistemit të monitorimit të vdekshmërisë së përditshme në Spanjë (MoMo), ndërsa vala e të nxehtit vazhdon të jetë në alarm në 12 nga 17 rajonet e Spanjës, me paralajmërime për temperatura ekstreme dhe stuhi shumë të forta lokale, raporton agjencia shtetërore meteorologjike Amet në faqen e saj të internetit.

Në gjashtë muajt që nga fillimi i vitit, sistemi MoMo ka regjistruar të paktën 380 vdekje në Spanjë që i atribuohen temperaturave të larta.

Në provincat e Andaluzisë, si Cordoba, Sevilla dhe Jaén, në jug të Gadishullit Iberik, ku alarmi është portokalli – për rrezik të konsiderueshëm – temperatura pritet të kalojë 42 gradë Celsius.

Ndërsa i nxehti anormal vazhdon të marrë jetë njerëzish, të paktën 4 në 48 orët e fundit, Amet parashikon kulme mes 38° dhe 39° në rajonin verior të Kastijës dhe Leonit, mbi 40° në rajonin qendror të Kastijës La Mancha dhe në Komunitetin e Madridit.

Vala e të nxehtit, shumë mbi mesataret sezonale dhe në nivele të paprecedenta për muajin qershor, e cila filloi të shtunën e kaluar, vazhdon gjithashtu në komunitetet autonome të Extremadurës, Kantabrisë, La Riojës, Asturiasit dhe Galicisë, në pjesën qendrore-veriore të gadishullit./TV21

Shpërthim në një fabrikë kimikatesh në Spanjë, alarm për 80 mijë banorë

Një shpërthim në një fabrikë kimikatesh pranë qytetit spanjoll të Sevilles ka shkaktuar shtëllunga të mëdha tymi, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të qëndrojnë brenda.

Nuk u raportua për të lënduar, raportoi AP.

Zyrtarët u dërguan mesazhe rreth 80,000 banorëve duke u rekomanduar të mbanin maska ​​​​në fytyrë ose të mbyllnin dritaret e shtëpive.

Shpërthimi ndodhi në mesditë në një park industrial në Alcala de Guadaira. Shërbimet emergjente larguan personelin nga fabrika.

Autoritetet nuk kanë thënë se çfarë kimikatesh ka në fabrikë ose kush e zotëron atë./Koha.net