Numri i të vdekurve nga përmbytjet në Teksas arrin mbi 100

Numri i të vdekurve nga përmbytjet e papritura që goditën Teksasin qendror në SHBA, të premten e kaluar, kaloi mbi 100.

Një numër ende i panjohur personash vazhdojnë të mbeten të zhdukur.

Ekipet emergjente vazhdojnë kërkimet nëpër brigjet e lumenjve të mbuluara me baltë, ndonëse shpresat për të gjetur të mbijetuar janë duke u zvogëluar.

Kampi Mystic – një kamp veror vetëm për vajza – konfirmoi se së paku 27 vajza dhe anëtarë të stafit janë në mesin e të vdekurve.

Dhjetë vajza të tjera dhe një këshilltar nuk janë gjetur ende.

Në Qarkun Kerr, ku edhe ndodhej kampi, vdiqën së paku 84 persona – 56 të rritur dhe 28 fëmijë – pasi lumi Guadalupe u mbush me ujë nga shirat e rrëmbyeshëm dhe përmbyti zonën.

Rreth 22 të rritur dhe 10 fëmijë nuk janë identifikuar ende, tha policia e qarkut.

Shtëpia e Bardhë, ndërkohë, i hodhi poshtë deklaratat e disa kritikëve se shkurtimet buxhetore në Shërbimin Kombëtar të Motit (NWS) mund ta kenë penguar reagimin ndaj katastrofës.

“Ky ishte një veprim i Zotit”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

“Nuk është faji i administratës që përmbytja ndodhi në atë kohë… Kishte paralajmërime të hershme dhe të vazhdueshme dhe, prapëseprapë, Shërbimi Kombëtar i Motit e bëri punën e vet”, tha ajo.

Pse përmbytjet në Teksas ishin aq shkatërruese?

Ekspertët thonë se janë disa faktorë që kanë kontribuuar në këtë tragjedi, përfshirë: motin ekstrem, vendndodhjen e shtëpive dhe kohën.

Në atmosferë kishte një sasi të madhe lagështie nga një stuhi tropikale, që kishte shkaktuar përmbytje në Meksikë dhe më pas ishte drejtuar drejt veriut, duke u shuar gradualisht.

Qarku Kerr, ku humbën jetën 84 persona, është një zonë më kodrinore se qarqet e tjera përreth në Teksas.

Kjo bëri që ajri me lagështi të ngrihej lart dhe të krijonte re të mëdha stuhie.

Këto re ishin aq të mëdha saqë u bënë një sistem i veçantë moti, duke shkaktuar reshje të dendura shiu në një zonë të gjerë. /rel

Mbi 70 njerëz të vdekur dhe dhjetëra të zhdukur nga përmbytjet në Teksas

Së paku 78 persona u konfirmuan të vdekur në Teksasin qendror, ndërsa 41 të tjerë janë ende të zhdukur pas përmbytjeve të së premtes.

Gjashtëdhjetë e tetë nga viktimat, përfshirë 28 fëmijë, u regjistruan në Qarkun Kerr, ku një kamp vajzash buzë lumit u përmbyt.

Dhjetë vajza dhe një këshilltar nga kampi Mystic nuk janë gjetur ende.

Zyrtarët thonë se numri i viktimave me siguri do të rritet.

Në 24 deri në 48 orët e ardhshme, në rajon priten stuhi të tjera, që mund ta vështirësojnë edhe më shumë punën e ekipeve të shpëtimit.

Ato tashmë janë duke u përballur me rreziqe – si nga gjarpërinjtë helmues – derisa vazhdojnë kërkimet mes baltës dhe rrënojave.

Guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, tha të dielën se autoritetet do të bëjnë gjithçka që është e mundur, për të gjetur çdo person që ende mungon.

“Ishte e tmerrshme të shihje se çfarë përjetuan ata fëmijë të vegjël”, tha Abbott, një ditë pasi vizitoi zonën.

Presidenti Donald Trump nënshkroi të dielën një deklaratë për gjendje të jashtëzakonshme në Qarkun Kerr, duke aktivizuar kështu Agjencinë Federale të Menaxhimit të Emergjencave në Teksas.

Ai, gjithashtu, tha se mund ta vizitojë këtë shtet të premten.

“Po punojmë nga afër me përfaqësuesit nga Teksasi dhe është një gjë e tmerrshme ajo që ka ndodhur – absolutisht e tmerrshme”, tha Trump.

Në Romë, Papa Leoni XIV bëri lutje të veçanta për viktimat në Teksas./REL