Detaje për vrasjen në Shtip: Vrasësi e thirri viktimën për t’u pajtuar, armën e bleu në Shkup

Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka nisur procedurë hetimore kundër pesë personave për vrasjen që ndodhi më 8 maj në një lokal në Shtip. I dyshuari kryesor, 21-vjeçar, akuzohet për “Vrasje me paramendim dhe nga hakmarrje” dhe “Tregti e paautorizuar me armë”. Katër të tjerët – tre burra dhe një grua të moshës 22 deri 28 vjeç – akuzohen për ndihmë pas kryerjes së veprës penale.

Sipas hetimeve, autori kishte blerë një pistoletë 9 mm në Shkup për 1.100 euro nga një person i panjohur. Ai ishte takuar me viktimën, gjithashtu shtetas turk, përmes aplikacioneve mobile, me pretekstin për të zgjidhur një konflikt të vjetër. Pas një bisede 15-minutëshe në kafene, ai shkoi në tualet, u kthye dhe qëlloi disa herë ndaj viktimës, i cili ndërroi jetë nga plagët.

Pas vrasjes, katër bashkëpunëtorët ndihmuan autorin të arratisej drejt Shkupit me një BMW, por u kapën nga policia pranë pikës së pagesës në Milladinovci. Prokuroria ka kërkuar masën e paraburgimit për të gjithë të dyshuarit./Tetovasot

Ngjarja tragjike në Prishtinë, çfarë dihet deri tani për çiftin ku burri dyshohet se theri gruan dhe më pas kreu vetëvrasje?

Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin të premten, ku një burrë dyshohet se fillimisht ka goditur me thikë bashkëshorten e tij dhe më pas ka kryer vetëvrasje.

Tragjedia ndodhi në një ndërtesë banimi në rrugën “B” në Prishtinë. Zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Flora Ahmeti, bëri të ditur se burri ishte 34 vjeç, ndërsa gruaja 30 vjeçare, transmeton Telegrafi.

“Menjëherë pas marrjes së informacionit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit. Në vendngjarje janë thirrur edhe ekipet emergjente të cilat kanë konstatuar vdekjen e një personi, mashkull 34 vjeç,  ndërsa e lënduara, një grua 30-vjeçare, është dërguar për trajtim mjekësor,” deklaroi Ahmeti.

Pak orë pas ngjarjes, në media u publikua identiteti i viktimave,  burri është identifikuar si dizajneri Festim Isufi, ndërsa bashkëshortja e tij, Rina.

Telegrafi ka dërguar pyetje në Prokurorinë Themelore të Prishtinës lidhur me rastin, por deri në momentin e publikimit të lajmit nuk ka marrë përgjigje.

Rrethanat dhe motivet e kësaj ngjarjeje tragjike mbeten ende të paqarta, ndërsa hetuesit policorë janë duke vazhduar me veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/

“21-vjeçari dyshohet se vrau 25-vjeçarin”, 5 shtetas të Turqisë janë arrestuar pas ngjarjes në Shtip

Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se rreth orës 21:25 kanë marrë raportimin për gjuajtje me armë në një kafene në sheshin e qytetit të Shtipit, përcjell TV21. Sipas MPB-së, është shtënë në drejtim të shtetasit turk E.O., 25 vjeç nga Turqia, i cili ka ndërruar jetë rreth orës 22:10 në spitalin e Shtipit.

“Pas ndërmarrjes së masave dhe aktiviteteve, përfshirë përdorimin e dronit, në afërsi të pikës së pagesës “Milladinovci”, zyrtarët policorë kanë arrestuar K.K. (21) nga Republika e Turqisë, i cili dyshohet se është autor i krimit, si dhe A.H.(22), T.M. (22), O.M. (29) dhe A.O. (28), të gjithë nga Republika e Turqisë, me dyshimin se i kanë ndihmuar K.K. për të ikur nga vendi. Përkatësisht, në orën 22:15, në pikën e pagesës “Miladinovci”, në aksion të përbashkët të SPB-Shtip, SPB-Shkup dhe policisë së trafiku, është ndalur vetura e udhëtarëve “BMW” me targa të Shtipit, në të cilën ndodheshin A.H., T.M., O.M. dhe A.O., ndërsa A.H. tentoi arratisjen, ndërsa të tjerët janë privuar nga liria. Menjëherë pasi janë marrë masa, ai dhe autori K.K. janë gjetur dhe privuar nga liria”, thonë nga MPB./tv21.tv

Vritet 37-vjeçari shqiptar në Itali, arrestohen dy të rinjtë

Një ngjarje e rëndë raportohet të ketë ndodhur në Prato të Italisë më 8 Maj. Një 37-vjeçar shqiptar mbeti i vrarë si pasojë e një konflikti që mbetet ende i paqartë.

Siç shkruan La Nazione, viktimë nga kjo ngjarje mbeti Vladimir Lleshi. Në lidhje me vrasjen janë arrestuar gjatë natës dy të rinj, po shqiptarë, njëri 17 dhe tjetri 19 vjeç.

Ata kanë treguar para oficerëve të policisë se do të takoheshin me Lleshin për shkak të disa mesazheve që i ishin dërguar një vajze.

Dy të rinjtë thanë se ndërkohë Lleshi kishte shkuar në shoqërinë e dy burrave të tjerë. Sipas tyre, nga ai moment ka nisur një sherr që ka pasuar me një tentativë sulmi nga 37-vjeçari Lleshi dhe shokët e tij.

Dyshohet se të rinjtë kanë ikur me vrap dhe më pas e kanë sulmuar 37-vjeçarin me një kaçavidë derisa e vranë. Një goditje thuhet se i preku zemrën.

Lleshi u dërgua në spital, por ndërroi jetë aty, pak kohë më vonë si pasojë e dëmtimeve të marra.

Autoritetet kanë urdhëruar që trupit të pajetë të 37-vjeçarit t’i kryhet autopsia për të kuptuar më qartë dinamikën e ngjarjes. Po ashtu janë sekuestruar kamerat e sigurisë me qëllim hetimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje./tvklan.al

Shkodër! Bashkëshorti vrau me thikë gruan

Një vrasje me thikë ka ndodhur paraditen e sotme në lagjen “Gjuhadol” të qytetit të Shkodrës.

Një turist i huaj, dyshohet amerikan, ka vrarë me thikë gruan dhe më pas ka plagosur edhe veten. Burri është transportuar në spital.

Sipas policisë turisti ndodhej në gjendje të dehur kur ka kryer aktin e rëndë. Ai ka marrë dëmtime të lehta, në duar pasi tentoi t’i jepte fund jetës.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 10:15, në rrugën “At Shtjefën Gjeçovi”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se është vrarë me mjet prerës, shtetasja amerikane, S. S.

Në banesë u gjet bashkëjetuesi i saj, shtetas amerikan, i cili dyshohet se është autori i vrasjes. Ky shtetas u shoqërua në spital për ndihmë mjekësore, pasi dyshohet se është në gjendje të dehur dhe ka dëmtime të lehta, në duar, me mjete prerëse.

Grupi hetimor, në drejtimin e prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave dhe për dokumentimin ligjor të rastit.Indeksonline