Kosovë/ Nga sot partitë mund të dorëzojnë listat e kandidatëve për zgjedhjet lokale

Duke filluar nga dita e sotme (më 26 qershor), do të hapet afati për subjektet politike për të aplikuar për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit dhe për të dorëzuar listën me emrat e kandidatëve garues.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka treguar se kjo periudhë do të zgjasë 49 ditë.

“Duke filluar nga 26 qershori dhe deri më 13 gusht 2025, partitë politike, koalicionet, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur mund të paraqesin në KQZ, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, kërkesën e tyre për t’u certifikuar për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025 dhe listën me emrat e kandidatëve për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvendet Komunale”, tha ai.

Sipas KQZ-së, aplikimi do të mundësohet online për subjektet politike dhe mbetet në vullnetin e tyre të përcaktohen për llojin e zgjedhjeve që duan të marrin pjesë.

“Është krejtësisht në vullnetin e subjekteve politike që të përcaktohen se në cilat komuna duan të garojnë. Po ashtu, është në vullnetin e subjekteve politike që të zgjedhin nëse në një komunë të caktuar do të garojnë vetëm në zgjedhje për Kryetar Komune ose për Kuvend Komunal apo për të dyja së bashku”, tha Elezi për Rtk./Syri.net

Shqipëria në heshtje elektorale

Mbrëmja e së premtes shënoi përmbylljen e fushatës zgjedhore në Shqipëri, duke i hapur rrugën heshtjes elektorale që nisi në mesnatë dhe do të zgjasë deri në ditën e votimit më 11 maj.

Pas javësh të ngarkuara me premtime politike, tubime masive dhe retorikë të nxehtë, vendi ndodhet tani në një moment reflektimi, ku fokusi zhvendoset nga partitë te qytetari dhe zgjedhja e tij në kutinë e votimit.

Partia Socialiste përmbylli zyrtarisht fushatën e saj me një miting të madh pranë Parkut Olimpik në Tiranë.

Në të njëjtën kohë, koalicioni opozitar zhvilloi tubimin final në Bulevardin e Ri, duke dhënë mesazhin e fundit përpara betejës së votës.

Këtë të shtunë ndalohet çdo aktivitet politik publik, në përputhje me ligjin zgjedhor që garanton një ditë qetësie për qytetarët përpara ditës së zgjedhjeve.

Zgjedhjet e 11 majit janë historike jo vetëm për peshën e garës elektorale, por edhe sepse për herë të parë, diaspora shqiptare është përfshirë në procesin e votimit./Top Channel

Osmani e gatshme për takim me partitë politike për zgjidhje të ngërçit politik

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osnani, tashmë ka shprehë gatishmërinë që nga data 16 prill, që t’i presë liderët e partive politike në rast se ata e shohin të nevojshme një gjë të tillë.

Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina. ka njoftuar se së shpejti do të flasin me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim gjithëpërfshirës.

”Deri dje nuk kemi pasur një kërkesë të tillë. Tani që disa parti kanë kërkuar që Presidentja t’i thërrasë në takim të përbashkët të liderëve, Kabineti i Presidentes do të kontaktojë së shpejti me partitë politike për të parë se cila është koha e përshtatshme për të gjithë, për një takim të tillë gjithëpërfshirës”, ka deklaruar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina. /21Media